Teknikat e vetëmbrojtjes

Të gjitha teknikat sulmuese dhe ato mbrojtëse, bazohen në lëvizjet e gjymtyrëve dhe trupit. Përveç kësaj, edhe të gjitha teknikat sulmuese dhe mbrojtëse synojnë të paaftësojnë kundërshtarin duke shkaktuar presion apo dhimbje në pika të caktuara të trupit.
Prandaj, për të kuptuar parimet e teknikave themelore të sulmit dhe të mbrojtjes, duhet kuptuar anatominë themelore të trupit të njeriut, sidomos gjymtyrëve (dorës dhe këmbës).
Shtyllë e trupit të njeriut janë eshtrat, të cilat lidhen bashkë përmes nyjave, të përforcuara me ligamente.
Funksionin motorik (lëvizjen e pjesëve të caktuara të trupit) e kryejnë muskujt. Organet tjera, gjenden nëpër zgavra, të mbrojtur me rrethojën e përbërë kryesisht nga eshtrat dhe muskujt (zgavra e kraharorit, e gojës,e syve, etj). Njohja e pjesëve të caktuara të trupit është me rëndësi, sepse, pjesë të caktuara janë tejet të ndjeshme ndaj dhembjes, pjesë të tjera janë lehtë të thyeshme, kurse, bllokimi i nyjave të caktuara pamundëson lëvizjet e kundërshtarit.
Teknikat e vetëmbrojtjes dhe kundërsulmit janë lëvizje të thjeshta trupore. Megjithatë, realizimi i tyre është i vështirë, nëse personi i cili duhet ta bëjë këtë, nuk është i përgatitur psiqikisht. Pra, vetëmbrojtja nuk varet vetëm nga lëvizjet dhe teknikat e përdorura, por nga gjendja mendore. Nuk është me rëndësi ÇKA MENDON, por SI MENDON. Pjesa më e vështirë është pra, në MENDJE. Në rrethana të rëndomta, secili do të mendonte: UNË NUK MUND ME VETËDIJE T’I SHKAKTOJ DHIMBJE APO LËNDIME PERSONIT TJETËR. Kjo mënyrë e të menduarit paraqet pengesë kryesore në realizimin e vetëmbrojtjes dhe/apo kundërsulmit. Gabimi thelbësor në këtë rast është se mendimi përqendrohet në vetvete, e jo në sulmuesin. Vija e drejt e të menduarit është – A DO TË MUND T’I SHKAKTOJ DHIMBJE APO LËNDIME PERSONIT TJETËR, NËSE KJO ËSHTË E DOMOSDOSHME TA MBROJ VETEN TIME APO PERSONIN TJETËR?
Kur flitet për vetëmbrojtjen, atëherë nuk flitet për nxitjen e rrahjes, por, për mbrojtjen e integritetit trupor apo dinjitetit njerëzor.
Ndonëse secili është edukuar në familje, që të jetë i mirësjellshëm dhe i durueshëm, kurse nga mbrojtesi kjo kërkohet edhe me rregullat e etikes, qëndrimi i vendosur dhe guximi për të kundërshtuar veprimet e rrezikshme, qe janë parakusht mbi të cilin ndërtohet e tërë strategjia e vetëmbrojtjes.
Asnjë teknikë nuk do të sjell sukses të plotë (100%), nëse përdoret e vetmuar.
Çelësi i suksesit qëndron në kombinimin e teknikave dhe lëvizjeve të ndryshme, sipas nevojës. Gjithashtu, teknikat nuk japin kurrfarë suksesi nëse nuk janë ushtruar dhe praktikuar paraprakisht. Për më tepër, zbatimi i praktikave të sulmit apo mbrojtjes, pa përvojë paraprake, mund të arrijnë efektin e kundërt dhe të shkaktojnë lëndime të rënda tek personi i cili orvatet t’i zbatoj ato.